Feb 19, 2009

Memuaristika si post-scriptum i shkrimit letrar françeskan

(Mbi domethënien e librit “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit)


Në dy dhjetëvjeçarët e fundit të komunizmit shqiptar, atëherë kur diktatura e pjekur komuniste kishte kaluar në slang-un e saj, me mjetet e sofistikuara të kontrollit, survejimit dhe çensurës, pikërisht kur krimi i institucionalizuar shetëror kishte likuiduar Gjuhën, dukej se tok me të u tret si një kujtim i vagullt edhe tradita zulmëmadhe françeskano-jezuite e letërsisë së qarkut katolik. Delegjitimimi i gegnishtës si gjuhë dhe praktikë letrare nënkuptonte edhe larjen e hesapeve me këtë traditë që kishte ngjizur, formësuar dhe krijuar gjenezën dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare, duke qenë për katër shekuj protagonistja qendrore e zhvillimeve procesuale letrare në të gjitha zhanret, modelet dhe ndjeshmëritë. Në vazhdën e topitjes së përgjithshme, si çdo diktature totalitare, edhe asaj komuniste shqiptare i interesonte topitja e ndjeshmërisë frymore e shpirtërore dhe se me zhdukjen e gjuhës, shpresonte të asgjësonte kësilloji edhe ndjeshmëritë e lidhura me realet shpirtërore e artistike të projektuara nga kjo gjuhë.
Këtë lëvizje e ka gjuajtur saktë Martin Camaj, i cili, duke e zgjeruar këtë analogji, citon shkrimtarin francez Georges-Artur Goldsmith: “Gjuha amtare asht në fund të fundit kumbimi i formave qi fëmija zbulon për herë të parë. Gjuha amtare âsht frymëmarrja e veçantë e trupit njerëzor, âsht pragu përtej elementave dhe hapësinës” (Martin Camaj: “Mërgimi i gjuhës”). Camaj e kundron satandartin e sajuar letrar si “gjuhë artificiale, në t’cilën përdoren mjete kufizuese të dhunshme, krejt në kundërshtim me zhvillimin e natyrshëm të vetë gjuhës”. Kësodore me vendim politik, traditës katër shekullore katolike iu mbyllën dyert, mërgohet në ekzil, ose thjesht, shndërrohet për së gjalli në fosile, duke ndërhyrë fatalisht në procesin e zhvillimit të saj organik. Gjithçka ishte e llogaritur me mjeshtëri djallëzore: tëhuajësimi gjuhësor, do sillte pashmangshëm tëhuajësimin nga tradita kulturore e lidhur me të, edhe pse në këtë kohë, jashtë Shqipërisë vazhdonin të krijonin në gegnisht tre nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe: Ernest Koliqi, Arshi Pipa dhe Martin Camaj.
Në fakt tëhuajësimi i përllogaritur krijonte raporte të thella shpërpjestimore dhe një çarje të thellë, jo vetëm në gjuhë, traditë dhe kulturë, por një tëhuajësim të pariparueshëm të etnopsikikës shqiptare që në gjenezën e kodit të vet. Nga kjo pikëpamje ‘shpikja’ e gjuhës standarte qe një pretekst për të shfytyruar një kod shpirtëror, frymor dhe mental të asaj pjese të shqiptare, e cila nuk mund t’i nënshtrohej përfundimisht procesit të zombizimit, zëvendësimit të saj me njeriun e ri.
Kjo në fakt shënon edhe apoteozën e izolacionit në peisazhin kulturor shqiptar, pas së cilës vetë tradita françeskane me poetët, shkrimtarët, teologët, përkthyesit, mbledhësit e folklorit dhe gjuhëtarët zhduket nga harta e kujtesës, ose të paktën bëhet një kujtim i vagullt mitik, i ngjashëm me atë që ndërmend Platoni për Atlantidën.
Ta përkufizosh krijimtarinë letrare e kulturore të katolikëve shqiptarë si traditë, nuk ke thënë asgjë, ngase ajo nuk mund të kufizohet brenda një korrnize kohore nga shpallja e pavarësisë deri në zanafillë të dikataturës komuniste. Nëse vështrojmë në gjenezë të modeleve, atëherë kemi të bëjmë me një nga paradigmat më të fuqishme që shënojnë fillimin e shkrimit dhe literaturës shqiptare, apo më saktë me rrënjët e asaj shkolle, të cilën në skicën e vet klasifikuese Sabri Hamiti e ka quajtur shkolla filobiblike: “Në këtë shkollë letrare, teksti letrar në shqip, në fakt, është derivim i tekstit biblik, që është universal, prandaj edhe emërtimi karakterizues filobiblike. Madje tekstet letrare zakonisht janë mbrenda librave doktrinarë të krishterë, duke krijuar një shfaqje tjetër të doktrinës. Autori shenjohet, mirëpo statusi i tij ndërron nga përkthyesi, te rikrijuesi e krijuesi”. (Sabri Hamiti: “Shkollat letrare shqipe”).
Gegnishtja si gjuhë që parapriu tërë këtë traditë, u duk se shënoi konvulset e saj të fundit në të hyrë të viteve shtatëdhjetë, duke e mbyllur çuditërisht fatin e saj sipas një kompozicioni unazë, me përkthimin, ashtu siç e kishte nisur që që nga viti 1462 dhe 1555 me Pal Engjëllorin dhe Gjon Buzukun. E fundmja shishe e Atlantidës që po mbytej, qenë përkthimet monumentale në gegnisht të Homerit dhe Dantes nga Gjon Shllaku dhe Pashko Gjeçi.
Por nuk kishte qenë krejt kështu. Në vitin 1995 fillojnë të botohen vëllimet e një vepre voluminoze, një trilogji memorialistike – duke e ringritur para syve tanë edhe njëherë atë botë fretërish, teologë e shkrimtarë të katolicizmit shqiptar, një epikë që na përcjell kumtin e një ploje makabre, me mekanizmat e torturës, gjyqet popullore dhe pushkatimet – tilogjia “Rrno vetëm për me tregue” e priftit françeskan At Zef Pllumi. Si për të përmbushur amanete të moçme, kujtimet e At Zefit vijnë e tregohen në një epokë tjetër, duke shpalosur jo vetëm një afreskë të skalitur të fatit të njeriut nën diktaturë, por, edhe si një përshpirtje e madhe për martirët e kishës katolike dhe kulturës shqiptare që u flijuan për atme e fe.
At Zef Pllumit iu dha të realizojë të pamundurën. Nuk e kam fjalën këtu për heroizmin e mbijetesës së tij në dekada të tëra nëpër burgjet komuniste. E pamundura që realizoi At Zefi qe përmbushja e amanetit të lënë prej At Marin Sirdanit, jo aq në kuptimin e ngushtë e të drejtpërdrejtë “rrno, për me tregue”, se sa në metaforën e përcjelljes së kumtit tek brezat e tjerë dhe të dëshmisë së plojës, e cila, përfton konturin apokaliptik që në hyrje të veprës me alegorinë e Kopshtit të Gethsemanit. Dhe ajo që e bën unikale realizimin e pamundësisë, është se ky korpus kujtimesh, është i realizuar me gjuhën, korpin dhe shpirtin e kulturës françeskane, e njeriut të mbrujtur, formuar dhe rrituar në atë kulturë, me një vetëdijë gjithmonë të esëllt dhe me një ton vetpërmbajtje në frazë e stil, si ligjërimi i zymtë e prajshëm i pleqve të Besëlidhjes së Vjetër. Është pikërisht gjuha ajo lëndë e denjë për një përshpirtje aq të madhe e të thellë, gjuha e përmbajtur dhe meditative e meshtarëve katolikë që i drejtohej popullit në kishë dhe krijimtarisë në rradhor. At Zefi pati fatin jo vetëm të njeriut që “rrnoi me tregue”, por edhe të njeriut në të cilin bujti dhe u mbajt e gjallë gjuha. E nëpërmjet saj, siç e kemi thënë, tradita.
Njeriu është i kredhur në gjuhë, dhe gjuha realizohet përmjet njeriut. Njeriu e krijon gjuhën, dhe gjuha si sistem kolektiv bashkëvepron gjithnjë me folësin individual. Sipas Lotmanit “njësi minimale për shfaqen e kuptimeve të reja rezultojnë tre prezenca: Unë, njeriu tjetër dhe mjedisi semiotik përreth nesh (diç e ngjashme me trininë!)”[1]
Tradita françeskane, tërë ajo Atlantidë civilizimi kulturor, kishte pritur bardin e vet për të shpështjelluar edhe njëherë tërë rrëmetin epokal, krejt të ndryshëm nga sagat servile e hipokrite të shkrimtarëve të partisë. Duke lexuar librin e At Zefit ne na përshkon vazhdimisht pikëllimi autorial, por për asnjë sekondë nuk dëgjojmë klithma e ofshama të dobëta qarramane, edhe pse fati e ka dëbuar të shtrënguar si një bishë e ndjekur në qoshk; në pikëllimin e fratit françeskan që kalon torturat makabre, urinë dhe punën e rëndë të kampeve ka një fije besimi dhe shprese për mëshirë, shfajësim, drejtësi dhe një keqardhja e pakufijtë për të gjithë bashkëvuajtësit. Duket se nga fashikulli në fashikull, libri i At Zefit zbardh ndërmjet rreshtave e ngjarjeve dëshminë: “Ja se çfarë bënë me mua dhe me ju!” Dhe pa e ndarë këtë të vërtetë, të gjitha episodet e librit, të mësojnë pak nga pak të formulohet drejtë një pyetje, e cila, atje në zgavrën më të thellë të Hadit duhet shtruar kështu: “çështja nuk është se kush u thye, por kush theu”.
Prozator i fuqishëm, mjeshtër i formulimeve të sakta aforistike, artist i tablove dhe skenave dramatike, At Zef Pllumi krijoi një afresk jo vetëm të dëshmisë së kujtimeve, por më së pari, të prozës artistike. Derivat i traditës kulturore françeskane, nxënës i Fishtës dhe françeskanëve të mëdhenj, i pajisur me një kulturë klasike latine e romane, larg modave të rrejshme, At Zefi krijoi më vete një zhanër të denjë të kësaj tradite, prozën memuaristike të françeskanëve, duke e përnaltësuar në rrafsh epopeje këtë zhanër letrar, të afërt me autobiografinë. Si regull, ky zhanër, dallohet për një fokusim më të pakët të personazhit dhe një vëmendjeje më të theksuar të ngjarjeve të jashtme[2]. Por ishujt përsiatës, të ndjerët i flakur, i tadhëtuar, i pambrojtur e pa mbështetje, e bëjnë prozën e trilogjisë “Rrno vetëm për me tregue” një rast të rrallë të romanit autobiografik, të përshkuar nga reflekse ekzistencialiste religjioze. Poezia e zymtë dhe tragjika e situatave, shpesh të kujton prozën filozofike të Nikolaj Berdjajevit apo Simonë Wejl-it:
“Dola jashtë qytetit, përtej Urës së Bahçallëkut. Fillova me recitue: “Përmbi lum të Babilonit, atje ndejem dhe lotueme, kah na shkonte malli i Sionit”. Ecshëm i vetmuem. U mundojshem me e shpejtue hapin, që të mos më xajë nata në rrugë. Por nata mue më kishte xanë, nata e mendjes. Unë nuk dijshem mâ se kah me ia mbajtë. Ku jam? Ku shkoj? Aty? Atje? Ku? Çdo të bâj? Të gjitha ato andrrat rinore: me u bâ frat, me u bâ shêjt, me u bâ dijetar, me u bâ i përmendun për dishka; të gjitha u zhdukën në këtë çast. E ndjeva vedin se nuk ishem kurrgjâ tjetër por nji balonë, nji tollumbac në havà që sillet në atë drejtim kah ta çojë era. E shka asht era? A thue asht vetë jeta? Trishtim i madh!
O Zot, rri me né se asht kah erret!”
Dhuntia plastike e memuaristikës nën penën e At Zef Pllumit, dëshmitë e saj të paçmuara falë së cilës ne mund të dëgjojmë e të shohim të vetmin pasues të Fishtës dhe asaj “atlantide” kulturore të françeskanëve, ishte, me sa duket, një postscriptum, i vetmi postscriptum i denjë i homazhit, por një postscriptum madhështor i asaj tradite letrare, e cila në disa raste vendimtare i dha profilin dhe fizionominë autentike gjithë letërsisë shqipe. Pa przencën e kësaj tradite paradigmatike në krejt historinë e letërsisë tonë, as që mund të imagjonohet plotmëria e sistemit. Ajo paraqet sot, sipas meje, një jetë të përmbyllur lavdishëm. Dhe ndonëse prania e saj shpesh bëhet model dhe burim frymëzimesh e utopish të reja letraro-artistike, d.m.th., të restaurohet, ajo nuk mund të jetë më po e njëjta.
Rindërtimi i pamjes zanafillore të këtij apo aksh monumenti kulture – është një gjë jashtëzakonisht e vështirë. Dhe jo vetëm për shkak se pamjen zanafillore askush nuk e ka parë (ndjerë apo përjetuar me gjithë “aurën” e saj). Të gjitha përpjekjet për t’ia bërë duart Venerës së Milosit të trondisin me mungesën e shijes! Ata janë të dënuar të dështojnë qysh në krye të herës. Përse? Sepse në vetëdijen tonë Venera është e paduar, ndërsa Nika e pakokë. Dhe duke rindërtuar pjesët e humbura, ne prishim jo vetëm monumentin, por edhe diç tjetër, jo më pak të rëndësishme[3].
Dora e fundit reatauruese e traditës së begatë françeskane ishte ajo e At Zef Pllumit, e një ustai të sojit; përshpirtje apo postscriptum, gjithësesi, kjo vepër është dhe korniza, dhe detaji estetik përmbyllës. Ndonëse e trishtë, ajo ka tronditjen e katarsisit pas rënies së perdes në një tragjedi antike.

[1] Jurij Llotman: “Mbi natyrën e artit”, Fjala, nr 94, Mars 2003.
[2] Le Garzantine, Letteratura, Garzanti, fq 653. Romë 2002.
[3]Jurij Llotman: “Mbi natyrën e artit”, po aty.

No comments: