Skica Fiziologjike

Fqinja Nuk është histori miqësie, as respekti të ndërsjelltë, e aq më pak romantike historia ime me fqinjën përbri. Përkundrazi, atë mund ta quash histori acarimi dhe durimi patësosur, - vullnet për të zotëruar veten dhëmbëkyçur, që të mos shpëtojë asnjë replikë në lumin e pandalshëm të sharjeve, mallkimeve, fyerjeve në sheshin e shkallareve, - anipse nga natyra jam njeri që s’ta përtoj... sigurisht, deri në një kufi ku ha arsyeja dhe logjika e shëndoshë. Por tani s’po merret më vesh ku fillon logjika e durimit dhe ku sos arsyeja e vetëpërmbajtjes. Fjala e shqiptuar ruan zgjatimin e jehonës në veshë e në ndërgjegje. Si krismë! Se nuk është aspak ngushëlluese të jetosh si në rrethim, kundër të cilit, etikisht, nuk vlen asnjë armë. Sepse fqinja ime është plakë mbi të shtatëdhjetat. Jetojmë në një pallat pesëkatësh dhe ndajmë katin e pestë, ajo me hyrjen përballë shkallëve dhe baxhës, unë në hyrjen tjetër ku s’ka as baxhë, as shkallë e asgjë tjetër, përveç korridorit që nuk pengon kënd dhe nuk i duhet askujt për asnjë punë. Kur erdha me familjen time para tre vjetësh e ca në këtë apartament, të blerë me kredi, i zoti i mëparshëm, një plak i vuajtur e fisnik, që s’rron më (dritë i gjettë shpirti!), më pati këshilluar bashkë me të shoqen që të bëja kujdes me fqinjën, për shkak se ata prej më shumë se tridhjetë vjetësh kishin mbajtur me të një distancë të brishtë, ngase nuk përputheshin në shumë gjëra. Dhe ia kishin dalë mezi-mezi. Më folën se fqinja ime ishte greke, jo minoritare, por greke e Athinës, e cila kishte mbetur që pas Luftës së Dytë në Tiranë. Mandej ajo qenkësh martuar me një vllah, një eksponent i lartë i Sigurimit të Shtetit, i cili në fillim të viteve nëntëdhjetë paskësh ndërruar jetë. Pikërisht për këtë arsye, por edhe për shkak të karakterit skandaloz e grindavec, ne kemi qenë në vitet e diktaturës shumë të kujdesshëm me ta, duke shmangur çdo lloj fërkimi. Kurse pas nëntëdhjetës, për shkak të angazhimit tim publik në një parti antikomuniste, shanset për fqinjësi të mirë morën fund, qëkurse fqinja me motrat e saj të pamartuara, sapo shihnin nga dritaret kthimin tim në shtëpi, dilnin në derë, duke fshirë e puthur portretet e Enver Hoxhës e duke lëshuar pasthirrma adhurimi për diktatorin. Afër mendsh, ata prisnin ndonjë reagim tonin, që mandej të shfrenin mbi ne gjithë skenarin e mbledhur, gjithë mllefin që i frynte dhe, rast më të përshtatshëm se ne nuk mund të gjenin kund tjetër. Por ne vijuam të “mos dëgjonim nga ai vesh”, pavarësisht se ndonjëherë me time shoqe “ndizej fitili”, të cilin, që të dy, në mirëkuptim, e shuanim në kohë. Arsye për këtë mospërplasje kanë qenë dhe dy fatkeqësi tragjike që i ndodhën fqinjës tonë: vdekja e dy djemve të rinj, njëri njëzet e dy e tjetri njëzet e pesë vjeç. I pari vdiq në një aksident me motorr, ndërsa i dyti nga overdoza e heroinës. Tani jeton vetëm, ngase djali i fundit, që nga viti 1995 punon e jeton në Athinë. Në fakt, kur erdhëm në shtëpinë e re, dera e fqinjës ishte e mbyllur: ajo ishte larguar tek i biri, kështu që s’pata rast ta njoh. Deri kur u kthye ajo, shijuam një periudhë të qetë; vendi ishte larg rrugës kryesore dhe pallati është i rrethuar nga 26 trungje pishash e bredhash. Zotëron një qetësi dhe rregull i këndshëm për natyrën kaotike të Tiranës. Edhe fqinjët e tjerë na lanë mbresë të mirë: njerëz të paqtë, punëtor e familjarë. Dua të them se, edhe pas ardhjes së fqinjës me të birin, nuk kishim arsye pse të alarmoheshim. E para, unë kisha marrë “instruksionet” e nevojshme dhe dija paraprake për fqinjën më diktonte vetvetiu një model të kujdesshëm marrëdhëniesh. Ishte gusht kur u ndeshëm në krye të shkallëve. U prezantuam. Na uruan dhe ne u shprehëm kënaqësinë t’i ftonim për një kafe. Kjo bëri vaki po asaj mbrëmjeje: ata, nënë e bir, erdhën dhe, do thënë e vërteta, kaluam nja dy orë të këndshme kuvendimi të mirësjellshëm. Disa ditë më vonë, veçanërisht mbrëmjeve, ime shoqe shkëmbente ndonjë fjalë a bisedë të përzemërt me fqinjën plakë dhe të motrat beqare, të cilat flisnin me një zë anormalisht të lartë dhe me një fjalor të shkujdesur e moskokëçarës, çka e bëri time shoqe, pa ndjerë e me takt, t’u mënjanohej përvojave të tilla. Një natë shkëmbeva përshëndetjet e zakonshme me të birin e fqinjës, një moshatar i imi, shtatlartë e në dukje, i paqtë. Madje mbaj mend se shkas për këtë bisedë me të u bë ime bijë dyvjeçare, e cila, për shkak të dyerve që i mbanim hapur në ufmën e gushtit, dilte jashtë, kapej për hekurash e kacavirrej për të parë poshtë, në shkallë, ç’ka na ngrinte gjakun. Pikërisht në një rast të tillë atë mbrëmje, fqinjit tim i lindi një ide shumë tunduese për mua: - Pse nuk e rrethon me kangjella të larta pjesën tënde të parmakut? Kështu dhe vajza nuk të rrezikon. Mund të sajosh, në pjesën që të përket ty, një derë nga gjysma e korridorit të jashtëm, të cilën e mbyll, dhe vajza, edhe nëse del jashtë, nuk të pëson gjë... ndërsa ti e fle mendjen. Sado i vëmendshëm të jesh, vogëlushja, mos një herë, një herë tjetër do të shpëtojë... - Ty të lumtë goja, more komshi, por a është e drejtë kjo? Çfarë do të thonë fqinjët e tjerë të pallatit kur të shohin kangjellat? A nuk shkelet rregullorja dhe na sjellin Policinë Ndërtimore pastaj? - Jo, jo. As mos e ki atë merak. Ti s’ke asnjë lidhje me komshinjtë, pasi, në pozicionin ku je, nuk pengon asnjërin. Te ti s’kanë punë as për baxhën e terracës, as për shkallët e as për transport mobiljesh, që të mund t’i pengosh. Futi aty një kafaz kangjellash dhe flije mendjen, të them unë ty... Madje e kam menduar edhe vetë, meqë ra fjala: ne mund të ndërtojmë një derë hekuri, pikërisht ku nisin shkallaret e katit tonë, meqenëse në këtë kat banojmë vetëm ne. I vëmë derës një zile, nëse ka punë kush në terracë, ndërsa secili bën çelësin e vet. Kështu vrasim me një gur dy zogj njëherësh: ruajmë edhe sigurinë që të mos na vjedhin këpucë a sende që mund t’i lëmë në korridor, nga ana tjetër heqim qafe drogaxhinjtë që vijnë e shpohen gjithmonë këtu. A nuk ke parë shiringa këto kohë? - Kam parë. Disa herë. Në shkallë. - Pikërisht. Një derë mjafton... - A nuk hyjmë në sherr me komshinjtë? - Dëgjo, nuk kanë punë komshinjtë lart. Ne nuk pengojmë as lëvizjen, as transportin. Kaq. - Mirë, atëherë, e bëjmë. Të interesohem unë atëherë për derën dhe kangjellat? - Shumë mirë. Bëj një preventiv dhe më thuaj. Po sa më shpejt, se unë pasnesër largohem në Greqi. - Pa problem, - i thashë. – Rregullohemi më vonë, veç të mbarohet se po më pëlqen kjo ide. Po asaj jave, pas tre-katër ditësh, bisedova me një mjeshtër kangjellash. Ai erdhi dhe e studioi vendin. I thirra dhe fqinjit, por ai ishte larguar. Doli e ëma. Sapo pa ustain e kangjellave që po merrej me matjet, me tha ta ndaloja. - Kemi ndërruar mendim, – tha ajo. - Pse duhen bërë kat shpenzime? Sikur kemi ndonjë hall! – tha, s’di pse, tepër e nxehur. - Mos e vra mendjen për shpenzimet! – i thashë. – I paguaj unë, vetëm të shpëtojmë nga hajdutët dhe drogaxhinjtë. (Ajo e dinte se më kishin vjedhur dy herë rresht atletet). - Jo, jo. Unë jam kundër. S’ka ç’na duhet as dera, as kangjellat. - Mirë, - i thashë. – E lëmë atëherë. – Por mua më duhet ta bëj, se s’bën, anën time, jo thjesht për shkak të hajdutëve, por më së pari, për mbrojtje, për masë sigurie, mos hidhet poshtë vajza ime e vogël. A nuk u prish punë juve? - Jo, ti vetë bëjë dhe ne nuk na prish asnjë punë, - tha ajo e kënaqur. Ustai i kangjellave, pasi e dëgjoi ndryshimin e planit, u vu të maste hapësirën vetëm për pjesën time. Sidoqoftë, unë trokita edhe njëherë në derën e fqinjës dhe, në kushtet e reja që mori projekti i kangjellave, iu luta të më tregonte vetë kufirin gjer ku duhej ta kisha cakun e derës së jashtme të kangjellave. Ajo e shenjoi sinorin e saktë. Ustai mori shënim matjet dhe u largua. * * * Ishte mëngjes i së premtes dita kur filloi punë ustai i kangjellave, me idenë, siç u morëm vesh, që të mbaronte punë deri nga ora dy, para se të vinin njerëzit nga puna, fëmijët nga shkolla dhe pallati bëhej më i banueshëm. Një natë më parë i kisha pyetur gjithë banorët e shkallës nëse kishin kundërshtim. Kisha marrë miratimin e të gjithëve, kështu që atë mëngjes u largova disi i qetë në punë. Telefonata erdhi fiks në orën 2, kur kisha mbaruar të gjitha leksionet. Më kërkohej të kthehesha urgjent në shtëpi, se me fqinjën tonë po bëhej nami i sherrit. Zura një taksi dhe po shkoja nëpër mend çfarë pakënaqësie ta ketë egërsuar fqinjën time, pa ia arritur t’ia qëlloj. Kur mbërrita në krye të shkallëve, ulërimat e trefishta kërlesheshin njëra me tjetrën dhe ishte e vështirë t’i dalloje cilës i përkiste njëra e cilës tjetra, pa shpresuar të dalloje çfarë thonë. U gjeta i gllabëruar nga ato grithje, klithje, nëma, ulërima që s’më linin të thoja një fjalë: para meje shihja vetëm katrorthe gojësh që lëvrinin me një shkathtësi të habitshme, dhëmbë që hapeshin e kyçeshin pas buzësh të tendosura – një vorbull e pacensuruar zanore që lëshohej rrebesh. Ime shoqe qe mbyllur brenda me vajzën dhe, si duket, ato kishin mbërritur pikun e tërbimit nga mospërgjigjet e saj. Iu drejtova fqinjës plakë: - A ka mundësi, të më thuash me qetësi çfarë nuk shkon? - Si s’të vjen turp, malok i dreqit! Pse e ke shtyrë kufirin këtu a?! – ulërinë të treja njëherësh. - Më lini të flas me të zonjën e shtëpisë, - u thashë pa shpresë tre furrieve, që, me sa dukej, përgjigjeshin si një organizëm i vetëm. – Ja moj zonjë, - tregova me gisht, - a është kjo shenja jote këtu, me fllamaster të kuq? A e ke venë vetë këtë shenjë? Ja pra, shenja jote, e cila është lënë 10 cm më tutje nga sa duhet! Për çfarë po flisni? Sërish potpuri shtazarake zërash e klithjesh, prej të cilëve dallova pretendimin se atë shenjë e paskërkam vendosur vetë. - Në rregull, - thashë, me mëdyshje. – Caktoje ti tani, ku ta duash, dhe që të nesërmen do ta prish, duke respektuar atë kufi që të thotë mendja ty, megjithëse pagesën e kam bërë njëherë. - S’ka ç’më duhet pagesa jote mua, malok i trashë! - Mirë, mbaje gojën tani, mos fyej, por më thuaj, ku e do dhe nesër në mëngjes i çoj kangjellat aty ku do ti. - Tani, në vend ta bësh, jo nesër! - Tani është vonë, por nesër po. Shënoje kufirin që mendon, - thashë, duke i zgjatur një fllamaster ngjyrë rozë. - Po, ta tregoj unë, - tha dhe shtyu derën. Nga pragu i derës hodhi një hap inatçor, sa i hëngrën këmbët e harkuara. Aty u ndal dhe e gërvishti murin me mjën e ngjyrosësit. – Këtu! – tha, duke parë sfidueshëm, e bindur se do ta kundërshtoja dhe gatshme për një spirale tjetër sherri. Korridori ndërmjet dy hyrjeve tona, dukej arbitrarisht dhe dukshëm i rrudhur në pjesën time. - Mirë, - i thashë. – Nesër do ta zhvendos këtu ku shënove ti. A jemi në rregull tani? Ke ndonjë gjë tjetër që të shqetëson? - Tashti ore, çfarë nesër? Tashti ta bësh! Ik shko, gjeje! U bëtë ju, malokë, të zbrisni nga malet e të na zaptoni Tiranën! - Mirë, do provoj, - u thashë. – Vetëm qetësohuni. Po atë mbrëmje u lidha me ustain e kangjellave. M’u desh zor ta bindja, ngase ai këmbëngulte të mos vija dorë prapë, se do ta prishja gjithë hijeshinë; se me plakat ashtu e kanë: kalojnë nja dy-tri ditë dhe e harrojnë. Por unë vetë e dija mirë se s’ishte ashtu. Të nesërmen, herët në gjashtë e gjysmë u ngrita nga goditjet e forta në derë dhe nga një zallamahi britmash. Dola menjëherë, duke u kujdesur të mos zgjohet ime shoqe shtatzanë e të përballet me asi realiteti. Tre furriet garraveshën gojët në një britmë: - Malok i mutit, hajvan, këlysh i Berishës, katundar – pse nuk i ke shkulë këto gardhe fshati! U përpoqa me sa mund t’i qetësoja, duke u thënë se tani, në orën shtatë e gjysmë, vjen ustai; se gjithçka do të rregullohet për dy orë. Por si duket, atyre nuk u interesonte fare se ç’do të bëja unë – e dinin mirë, që pretendimi i tyre do të përmbushej, - ato kërkonin diç tjetër, që unë t’u ktheja llafin, e ndoshta ëndërronin ndonjë shpullë, kapje për krahu a ndonjë hata tjetër. Kjo dukej qartazi, ngase përveç fjalëve fyese, njëra nga motrat fatpadala guxoi të shtynte me duar. Në mendje më vinin gjithëfarë formash të lemerishme kërcënimi, por në vend të tyre u mjaftova duke thënë: - Po ju paralajmëroj të mos prekni me dorë, përndryshe do t’ju hedh njërën pas tjetrës kokëngulthi, poshtë në shkallë! Në polici as nuk do t’ju dëgjojnë, as nuk do t’ju japin të drejtë. Nguliteni mirë këtë. - Guxo! Hë, na prek, ta shohësh, malok i mutit! – tundnin gjokset e thara lëneshat. - Pse nuk shkoni të sillni ndonjë burrë? – u thashë. – Shkoni, sillni një burrë, të vijë të merremi vesh, se me ju nuk bisedoj dot. A keni ndonjë burrë? - Do të të nxijmë jetën, more këlysh maloku: ja ne, ja ti në këtë pallat! - Si të doni! – u thashë. * * * Po atë ditë, ustai i preu kangjellat, i zhvendosi një metër e ca më tutje. Ime shoqe fshiu mbeturinat, pastroi, ndërsa unë, ndaj drekëherë, trokita prapë në derën e fqinjës. Kësaj here ishte vetëm. - Komshie e nderuar, a mund t’ia hedhësh një sy tani? Pa thënë gjë, ajo doli, e pa vendin dhe heshti. Tani që kangjellat dhe dera ishin vendosur vertikalisht, hapësira arbitrare e korridorit të shkallëve binte në sy aq shumë, sa fqinja plakë s’pati ç’të thoshtë tjetër, veç pëshpëriti thatë: - Tani mirë, - tha. – Kaq desha dhe unë... të mos i kishim bërë gjithë ato fjalë. - Të harruara, - thashë. - Hajt t’ia japim dorën njëri-tjetrit dhe të mos prishim muhabet, meqë do jetojmë bripërbri, - shtova, duke ia zgjatur dorën vetë i pari. Ishte i dyti dhe i fundit duarshtrëngim me fqinjën time plakë. Madje pas dy-tre ditësh kishin shkëmbyer përshëndetje e një copë bisedë me time shoqe, sikur asgjë të mos kishtë ndodhur. - Epo lavdi Zotit! – i thashë time shoqjeje, - më duket se kaq ishte... Dhe, sigurisht, po kisha gabuar. Të nesërmen e asaj dite, ndërsa nxitoja për punë, fqinja ime më kishte zënë pusi. - Agron, - më thotë ajo, me një dridhje nervoze të zërit. – Tërë këto ditë kam menduar dhe kam ndërruar mendje: ti duhet t’i heqësh kangjellat! - Po përse kështu, komshie e nderuar? - S’ka ç‘të duhet ty përse. Thjesht duhet t’i heqësh dhe sa më parë! Nuk mund t’i shoh me sy! - Atëherë ke ti problem me veten tënde, s’të kam unë faj! Po qe kështu, kjo s’ka lidhje aspak me kangjellat. Ty mund të të teket të mos e shohësh me sy familjen time, por kjo s’do të thotë të bëhet si do ti! Mendohu mirë, se je plakë, je në moshën e nënës time: unë jetoj në shtëpinë që e kam blerë vetë. - Unë kaq të them: hiqi kangjellat sa më parë, qysh sot, për ndryshe do të të nxijmë jetën! - Me gjithë mend e ke se po na frikëson? Ta dish moj zonjë, ju vetëm nxini jetën tuaj. Sa për mua, do të mësohem të duroj. Kangjellat nuk i heq pse të teket ty, - i thashë, duke u larguar. Që në mbrëmje shpërtheu cikloni i parë: furriet, të tria, ishin rreshtuar në formacion dhe ulërinin. Ishte qesharake dhe e trishtueshme t’i shihje, sikur bënin ndonjë protestë para ndonjë ambasade imagjinare. Fjalori i tyre u ngjye banalisht me gjenitale, me racizëm krahinor, me prejardhje, me pak politikë, me kërcënime gjithëfarësoji. Kishim mbyllur dyert dhe prisnim kur të lodheshin. Tek-tuk komshinjtë zunë të na jepnin kurajë, me fjalë të kursyera. Motrat e ushqenin mllefin me zeherin më të helmët dhe kishin një aftësi të mënxyrshme që ndikonte drejt në nerva. Të nesërmen qëlloi ditë pushimi: motrat lënesha e kishin programuar atë ditë aksionin përgjatë gjithë ditës. Më duhej të dilja dhe, sapo më panë në derë, vërshuan në britma, klithma, ulërima, ashtu gojëlëshuara e të pacipa, me vetëm një element të ri: plaka u shkreh në vilani: - Na vrave nënen (ashtu i thonin të motrës), o maloku i dreqit, të piftë kanceri! Plaka e imitoi vilaninë aq trashë, sa po të mos ishte ngjarja dramatike, do t’ia kisha shpërthyer gazit. Ditën tjetër të pushimit, përveç vilanisë, shkërbimit të epilepsisë dhe histerizmave, u shtua dhe një element i ri, që artikulohej përiodikisht me një klithje të mrehtë e monotone: - Kangjellat e varreve të djemve të mi! M’i sollën kangjellat e varreve në derë! Që t’i shoh ditë e natë unë e zezaaa! Kangjellat e varreve! Varret e djemve të mi! M’i sollën varret në derë! Gjithë natën nuk më shqiteshin këto klithma. U ndjeva keq. Mendova se duhen prishur: të paktën nuk mund të jetohej më duke dëgjuar klithma të tilla. Të nesërmen ia behu një inspektor i Policisë Ndërtimore. Ai tha se gjatë gjithë javës, çdo ditë, fqinja ime plakë me të motrat nuk qenë shqitur prej dyerve të zyrave. Unë të njoh, zotëri. Të shoh në TV, lexoj dhe gazetat dhe e di pak a shumë kush jeni. Dhe ja ku po ta them nga respekti që kam, se për këto kangjella as që i prish punë kujt. Aq më tepër që e ke territor privat. Krahasuar me rastet e katrahurës së Tiranës, që është bërë si Rripi i Gazës, kjo e jotja është një masë e shfrytëzimit të hijshëm të hapësirës private. Por, të lutem, po nuk e pate problem, sharroji kangjellat, duke i lënë në nivelin e mëparshëm të parmakëve ekzistues. - Mirë, - i thashë, - ashtu do bëj, se as vetë nuk jam në gjendje t’i duroj dot. E mora, tashmë për herë të tretën herë ustain e kangjellave. Më tha se është i zënë dhe se do të vijë fiks pas një jave. Gjatë gjithë asaj jave, përveç sharjeve, histerive dhe mallkimeve, motrat gjetën rast të denonconin dhe ta bënin histerinë e tyre publike, duke shfrytëzuar emisionin e mëngjesit “Good Morning Albania” në “Top Channel”. Të njohur e kolegë më telefonin të habitur, se si ka mundësi që, një njeri aq paqësor e të zënë me punë, siç më dinin, të isha ngatërruar në një histori sherri me një plakë gërnjare. * * * Kangjellat u sharruan në nivelin e parmakëve. Dukej se nuk kishte më shkaqe për të nxitur histerinë e fqinjës sime me motrat e saj. Sigurisht që kjo histori nuk mbaroi me aq dhe nuk mbaron as sot e kësaj dite, edhe pas dy vitesh. Motrat lënesha vijnë të vizitojnë “nënen” e tyre dhe mjafton të ndjejnë se brenda shtëpisë sonë ka njerëz, që të lëshohen me fjalë të ndyra, të grricen, të mallkojnë, të fyejnë, me shpresë mos u kthen kush fjalë. Fyejnë miqtë që hyjnë në shtëpinë time, mallkojnë vajzat e mia, sapo dalin jashtë derës, dhe, sigurisht, në koleksionin e mallkimeve të tyre, hyjnë të gjitha nëmat me sëmundje të pashërueshme që ato i dërgojnë ditë e natë në adresë të derës sonë, pa marrë asnjëherë përgjigje. Fyerjet më të parapëlqyera janë: malokë që na erdhët nga p... i s’ëmës e zaptuat Tiranën, katundarë të trashë, këlyshë të pushtetit e të Sali Berishës, injorantë etj, etj., - të gjitha, pa përgjigje. Jo, në fakt, ka patur një rast që, kunata dhe, njëkohësisht, ish-studentja ime, provoi t’u përgjigjej racizmave të tyre të ulëta: - E para, ne jemi malësorë e jo malokë, nëse keni parasysh origjinën nga vijmë dhe, e dyta, edhe pse malësorë apo malokë, ne jemi në vendin tonë, në atdheun tonë. Vetëm ju s’keni gojë të na thoni kësi gjërash në vendin tonë, me djersën tonë. Atëherë, ç‘keni moj zonja? A ju kemi thënë ne ndonjëherë: enverista; grekë të qelbur; thyeni qafën në Greqinë tuaj?! Por ishte një argument që shërbeu si benzinë mbi flakën e tyre të mllefit dhe urrejtjes. Urrejtje dhe mllef që s’ka të sosur. Mbetet vetëm habia e madhe dhe e zymtë: ku e gjejnë vallë aq urrejtje dhe si mund të jetojnë përditë me të?

No comments: