Tharanthull
Lavde t’urryeme për atë hymn të zi
që end krijimtarinë ndër mija fije t’helmta!
Koha bahet rreng, vetëvrasje dhe pusi
dhe hapsinat njomen me pika fatesh t’njelmta.
O gjeometri e vdekjes, o art mekanik -
shartesë arkitekture me manifakturë!
Përmasat bashkëpunojnë të japin një çikrik,
që ngre realitete të vdekuna në pëlhurë.
Elegji për dritën
Ka nisë me u zhburgosë drita: çdo rrezë
me pingrrimë çan e then qafën si fyell kristali ndër gurë
ku majmet e panjohuna me bojën e vet.
Si bukë e ardhun, e mbrueme shekave t'errta -
drita ka nisë me teptisë.
Dheu asht i lagësht, qielli - i vramë;
ftyrpremë dergjen buzëprroni krenja t'paqarta ushtarësh
kërleshun me rrajë drandofillash.
Gurgullon i çartun hamendjesh
uji i shterrun qyshkur.
Ka nisë me u zhburgosë drita,
me u rrëxue përjashtë -
thes i artë me kashtë
prej frëngjive picirrake t'ksollës.
Me mendje ngarend dhe e prek,
ngarend dhe e prek,
e puth me buzët me bojë
kambanën në ag.
Tue qa me gjys ngashrime falem:
"Lavde, Zotynë, për dritën
që na e ep ma të madhe se Ndriçuesin!"
E dallgë mbas dallge, dallgë mbas dallge
tue e lpi si kurmin e Afërditës
e shtyn terrin me fshesë
deri kur drita kapet për majë.
1 comment:
Pershendetje,
Lexova dy poezite e postuara dhe me pelqyen.Me pelqeu menyra se si ishte shkruar vargu,frazologjia e perdorur.Padyshim poezite me te bukura,te shkrimtareve moderne qe kam lexuar kohet e fundit.
Post a Comment