Apr 27, 2011

Footnote

Footnote*


Gjin Kel Përgjegjës dhe Hajri Duri Pasqafës u ka dalë nami për gjërat e jashtëzakonshme që çojnë nëpër mend. Ndërsa për krijimtarinë e të parit, nuk dihet pothuajse asgjë1, për krijimtarinë e hamendësuar të të dytit ka shumë të dhëna interesante, që jo vetëm s’na e bën zemra t’i zëmë në gojë, por nuk është as vendi i përshtatshëm t’i përmendim këtu. Por sa të pafat qenë! Frymëzimi dinamik që i mbante gjatë gjithë ditës, i lëshonte pabesisht: ata ndjeheshin krejtësisht të paaftë të kujtojnin qoftë dhe një mendim të thjeshtë. Si gjithmonë, Gjin Kel Përgjegja dhe Hajri Duri Pasqafa, edhe pse të bllokuar nga mefshtësia shterpe, i kishin ende të pashuara në shpirt gjurmët e frymëzimeve që ua begatonin krenjat me mendime fisnike, jashtëzakonisht të jashtëzakonshme. Andaj dhe s’arrinin të shkruajnin më shumë se sa një frazë të tillë, secili në manierën e vet:
Gjin Kel Përgjegja: “Sot, gjithë ditën, nuk e di pse, po kam qenë shumë i lumtur...”;
Hajri Duri Pasqafa: “Seç kam sot gjithë ditën një si ndjesi të pashqitshme, e cila më ysht t’i hakërrehem ndokujt: hiqmu qafe! Por... s’kam se kujt...!”.

Kohët e fundit studiuesit e krijimtarisë së hamendësuar të Gjin Kel Përgjegjës dhe Hajri Duri Pasqafës kanë dalë në një përfundim të përbashkët. Ata këmbëngulin se krijimtaria e pashkruar (dhe e pamundur për t’u shkruar) e Gjin Kel Përgjegjës, do të kishte lulëzuar e plotë, nëse aksidenti fatal2 që i mori jetën në moshë të re, do ta kishte lejuar shfaqjen e plotë të këtij talenti në shpërthim. Kurse për të dytin ka një mendim disi koprac kur shkruajnë se: “Që nga ëndrra e parë3, deri tek mendimet e para gjatë shëtitjeve në fshatin e tij të lindjes4, Hajri Duri Pasqafën do ta ndiqte një seri e dendur vegimesh demoniake e profetike dhe, pikërisht një dendësi dhe një dinamikë e tillë ia dëmtoi pa masë kujtesën mendimtarit.

Pasqafa kishte një kujtesë kryekëput emocionale, e cila lindte e harbohej gjatë lëvizjeve përjashta. Ai ishte forma e lëvizjes së mendimit, një ‘homo pantha rei’. Kujtesa e tij humbiste e zhdavaritej nga çdo qëndrim statik5. Si duket hulumtuesit e tij e kanë anashkaluar mrekullinë e përjetimit të Hajri Duri Pasqafës, kur shkruante6:

Sillem, shtillem rreth e rreth,
S’pipëtin as bar, as gjeth.

Tash i kemi kohë e vënd;
Kemi tash një vendqëndrim:

Unë përkund absurdin tënd,
Ti përkund absurdin tim -

duke përfshirë me një dialektikë metafizike unitetin e lëvizjes, pezullisë dhe prehjes, kohë gjatë së cilës mbruhet mendimi me dritëhijet dhe poezinë e vet. Vepra e pashkruar e këtij kolosi numërohet të shkojë deri në 101 vëllime të pabotuara.

Dukë parë përpjekjet kolosale të këtyre titanëve të mendimit dhe ëndërrimit shqiptar, ende të pavlerësuara gjer më sot, ne7 vendosëm t’i nderojmë ata (post mortum), duke u dhënë Çmimin e madh - “Maja të paarrira”8.


* Titulli është i redaksisë, që kemi ndërmend ta ngremë së shpejti (shën. ynë).


__________________________________________________________

1 Me përjashtim vetëm të kësaj ëndrre, të cituar prej një studiuesi anonym, origjinalin e të cilit e ruajnë me fanatizëm anëtarët e një sekti të paidentifikueshëm. Në këtë ëndërr Gjin Kel Përgjegjës i shtiret një stadium i famshëm futbolli ku sulmuesi gjerman Balack shënon një gol spektakolar. Mandej ekrani fokusohet në pamjen triumfatore të kaçurrelit bavarez dhe ngrin në pritje të një reklame uji. Atëherë në kornizën e kësaj reklame Balack deklaron: “Këtë ndeshje e japim në nderim të viktimave të Gërdecit!”.

2 Atë thjesht e la jeta, pa asnjë shkak të dukshëm.

3 Ëndrra e parë e Hajri Duri Pasqafës është ruajtur në një version disi të zbehur. Pak a shumë subjektin e saj mund ta japim përmbledhtazi: “Një park me lodra fëmijësh dhe në atë park – Hajriu, në një moshë tek të shtatëdhjetat (moshë, të cilin ai fatkeqësisht, nuk arriti ta shijonte). Në një Tra-peshore, mbi njërin skaj është ulur ai, ndërsa në skajin tjetër, vetë Enver Hoxha. Kështu, një herë peshon Hajriu dhe ngrihet Enver Hoxha përpjetë, duke kalavarur këmbët e gjata, herë tjetër mëshon poshtë Enver Hoxha dhe ngrihet n’ajri Hajriu, duke lëshuar një alamet fërshëllime e duke ruajtur me një dorë, të mos i shkasë shtrembër kapelja republike”.

4 Bëhet fjalë për fshatin e vërtetë të lindjes së Gjeniut, Bythuçin, të cilin tash në hartë do ta keni me emrin e ri. E gjeni dot?

5 Cituar sipas veprës “Nëpër analet e mendimtarëve të anatemuar shqiptarë” ose “Gjeniu në mërgim”. Kapitulli “Shkrimtari shqiptar si emigrant i brendshëm”, faqe 727. Sh.B “Kakofon”, Tiranë 2009.

6 E kemi me të gjegjme: na e tha një burrë.

7 Ne, këtu, d.m.th., ne

8 Kihet parasysh monografia e famshme “Drejt majave” mbi jetën dhe veprën e Leonardo da Vinçit, të cilën kemi ndërmend ta lexojmë tinëz, jo se na kanoset ndonjë rezik, por thjesht, për atmosferë.

No comments: