Feb 19, 2009

Memuaristika si post-scriptum i shkrimit letrar françeskan

(Mbi domethënien e librit “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit)


Në dy dhjetëvjeçarët e fundit të komunizmit shqiptar, atëherë kur diktatura e pjekur komuniste kishte kaluar në slang-un e saj, me mjetet e sofistikuara të kontrollit, survejimit dhe çensurës, pikërisht kur krimi i institucionalizuar shetëror kishte likuiduar Gjuhën, dukej se tok me të u tret si një kujtim i vagullt edhe tradita zulmëmadhe françeskano-jezuite e letërsisë së qarkut katolik. Delegjitimimi i gegnishtës si gjuhë dhe praktikë letrare nënkuptonte edhe larjen e hesapeve me këtë traditë që kishte ngjizur, formësuar dhe krijuar gjenezën dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare, duke qenë për katër shekuj protagonistja qendrore e zhvillimeve procesuale letrare në të gjitha zhanret, modelet dhe ndjeshmëritë. Në vazhdën e topitjes së përgjithshme, si çdo diktature totalitare, edhe asaj komuniste shqiptare i interesonte topitja e ndjeshmërisë frymore e shpirtërore dhe se me zhdukjen e gjuhës, shpresonte të asgjësonte kësilloji edhe ndjeshmëritë e lidhura me realet shpirtërore e artistike të projektuara nga kjo gjuhë.
Këtë lëvizje e ka gjuajtur saktë Martin Camaj, i cili, duke e zgjeruar këtë analogji, citon shkrimtarin francez Georges-Artur Goldsmith: “Gjuha amtare asht në fund të fundit kumbimi i formave qi fëmija zbulon për herë të parë. Gjuha amtare âsht frymëmarrja e veçantë e trupit njerëzor, âsht pragu përtej elementave dhe hapësinës” (Martin Camaj: “Mërgimi i gjuhës”). Camaj e kundron satandartin e sajuar letrar si “gjuhë artificiale, në t’cilën përdoren mjete kufizuese të dhunshme, krejt në kundërshtim me zhvillimin e natyrshëm të vetë gjuhës”. Kësodore me vendim politik, traditës katër shekullore katolike iu mbyllën dyert, mërgohet në ekzil, ose thjesht, shndërrohet për së gjalli në fosile, duke ndërhyrë fatalisht në procesin e zhvillimit të saj organik. Gjithçka ishte e llogaritur me mjeshtëri djallëzore: tëhuajësimi gjuhësor, do sillte pashmangshëm tëhuajësimin nga tradita kulturore e lidhur me të, edhe pse në këtë kohë, jashtë Shqipërisë vazhdonin të krijonin në gegnisht tre nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe: Ernest Koliqi, Arshi Pipa dhe Martin Camaj.
Në fakt tëhuajësimi i përllogaritur krijonte raporte të thella shpërpjestimore dhe një çarje të thellë, jo vetëm në gjuhë, traditë dhe kulturë, por një tëhuajësim të pariparueshëm të etnopsikikës shqiptare që në gjenezën e kodit të vet. Nga kjo pikëpamje ‘shpikja’ e gjuhës standarte qe një pretekst për të shfytyruar një kod shpirtëror, frymor dhe mental të asaj pjese të shqiptare, e cila nuk mund t’i nënshtrohej përfundimisht procesit të zombizimit, zëvendësimit të saj me njeriun e ri.
Kjo në fakt shënon edhe apoteozën e izolacionit në peisazhin kulturor shqiptar, pas së cilës vetë tradita françeskane me poetët, shkrimtarët, teologët, përkthyesit, mbledhësit e folklorit dhe gjuhëtarët zhduket nga harta e kujtesës, ose të paktën bëhet një kujtim i vagullt mitik, i ngjashëm me atë që ndërmend Platoni për Atlantidën.
Ta përkufizosh krijimtarinë letrare e kulturore të katolikëve shqiptarë si traditë, nuk ke thënë asgjë, ngase ajo nuk mund të kufizohet brenda një korrnize kohore nga shpallja e pavarësisë deri në zanafillë të dikataturës komuniste. Nëse vështrojmë në gjenezë të modeleve, atëherë kemi të bëjmë me një nga paradigmat më të fuqishme që shënojnë fillimin e shkrimit dhe literaturës shqiptare, apo më saktë me rrënjët e asaj shkolle, të cilën në skicën e vet klasifikuese Sabri Hamiti e ka quajtur shkolla filobiblike: “Në këtë shkollë letrare, teksti letrar në shqip, në fakt, është derivim i tekstit biblik, që është universal, prandaj edhe emërtimi karakterizues filobiblike. Madje tekstet letrare zakonisht janë mbrenda librave doktrinarë të krishterë, duke krijuar një shfaqje tjetër të doktrinës. Autori shenjohet, mirëpo statusi i tij ndërron nga përkthyesi, te rikrijuesi e krijuesi”. (Sabri Hamiti: “Shkollat letrare shqipe”).
Gegnishtja si gjuhë që parapriu tërë këtë traditë, u duk se shënoi konvulset e saj të fundit në të hyrë të viteve shtatëdhjetë, duke e mbyllur çuditërisht fatin e saj sipas një kompozicioni unazë, me përkthimin, ashtu siç e kishte nisur që që nga viti 1462 dhe 1555 me Pal Engjëllorin dhe Gjon Buzukun. E fundmja shishe e Atlantidës që po mbytej, qenë përkthimet monumentale në gegnisht të Homerit dhe Dantes nga Gjon Shllaku dhe Pashko Gjeçi.
Por nuk kishte qenë krejt kështu. Në vitin 1995 fillojnë të botohen vëllimet e një vepre voluminoze, një trilogji memorialistike – duke e ringritur para syve tanë edhe njëherë atë botë fretërish, teologë e shkrimtarë të katolicizmit shqiptar, një epikë që na përcjell kumtin e një ploje makabre, me mekanizmat e torturës, gjyqet popullore dhe pushkatimet – tilogjia “Rrno vetëm për me tregue” e priftit françeskan At Zef Pllumi. Si për të përmbushur amanete të moçme, kujtimet e At Zefit vijnë e tregohen në një epokë tjetër, duke shpalosur jo vetëm një afreskë të skalitur të fatit të njeriut nën diktaturë, por, edhe si një përshpirtje e madhe për martirët e kishës katolike dhe kulturës shqiptare që u flijuan për atme e fe.
At Zef Pllumit iu dha të realizojë të pamundurën. Nuk e kam fjalën këtu për heroizmin e mbijetesës së tij në dekada të tëra nëpër burgjet komuniste. E pamundura që realizoi At Zefi qe përmbushja e amanetit të lënë prej At Marin Sirdanit, jo aq në kuptimin e ngushtë e të drejtpërdrejtë “rrno, për me tregue”, se sa në metaforën e përcjelljes së kumtit tek brezat e tjerë dhe të dëshmisë së plojës, e cila, përfton konturin apokaliptik që në hyrje të veprës me alegorinë e Kopshtit të Gethsemanit. Dhe ajo që e bën unikale realizimin e pamundësisë, është se ky korpus kujtimesh, është i realizuar me gjuhën, korpin dhe shpirtin e kulturës françeskane, e njeriut të mbrujtur, formuar dhe rrituar në atë kulturë, me një vetëdijë gjithmonë të esëllt dhe me një ton vetpërmbajtje në frazë e stil, si ligjërimi i zymtë e prajshëm i pleqve të Besëlidhjes së Vjetër. Është pikërisht gjuha ajo lëndë e denjë për një përshpirtje aq të madhe e të thellë, gjuha e përmbajtur dhe meditative e meshtarëve katolikë që i drejtohej popullit në kishë dhe krijimtarisë në rradhor. At Zefi pati fatin jo vetëm të njeriut që “rrnoi me tregue”, por edhe të njeriut në të cilin bujti dhe u mbajt e gjallë gjuha. E nëpërmjet saj, siç e kemi thënë, tradita.
Njeriu është i kredhur në gjuhë, dhe gjuha realizohet përmjet njeriut. Njeriu e krijon gjuhën, dhe gjuha si sistem kolektiv bashkëvepron gjithnjë me folësin individual. Sipas Lotmanit “njësi minimale për shfaqen e kuptimeve të reja rezultojnë tre prezenca: Unë, njeriu tjetër dhe mjedisi semiotik përreth nesh (diç e ngjashme me trininë!)”[1]
Tradita françeskane, tërë ajo Atlantidë civilizimi kulturor, kishte pritur bardin e vet për të shpështjelluar edhe njëherë tërë rrëmetin epokal, krejt të ndryshëm nga sagat servile e hipokrite të shkrimtarëve të partisë. Duke lexuar librin e At Zefit ne na përshkon vazhdimisht pikëllimi autorial, por për asnjë sekondë nuk dëgjojmë klithma e ofshama të dobëta qarramane, edhe pse fati e ka dëbuar të shtrënguar si një bishë e ndjekur në qoshk; në pikëllimin e fratit françeskan që kalon torturat makabre, urinë dhe punën e rëndë të kampeve ka një fije besimi dhe shprese për mëshirë, shfajësim, drejtësi dhe një keqardhja e pakufijtë për të gjithë bashkëvuajtësit. Duket se nga fashikulli në fashikull, libri i At Zefit zbardh ndërmjet rreshtave e ngjarjeve dëshminë: “Ja se çfarë bënë me mua dhe me ju!” Dhe pa e ndarë këtë të vërtetë, të gjitha episodet e librit, të mësojnë pak nga pak të formulohet drejtë një pyetje, e cila, atje në zgavrën më të thellë të Hadit duhet shtruar kështu: “çështja nuk është se kush u thye, por kush theu”.
Prozator i fuqishëm, mjeshtër i formulimeve të sakta aforistike, artist i tablove dhe skenave dramatike, At Zef Pllumi krijoi një afresk jo vetëm të dëshmisë së kujtimeve, por më së pari, të prozës artistike. Derivat i traditës kulturore françeskane, nxënës i Fishtës dhe françeskanëve të mëdhenj, i pajisur me një kulturë klasike latine e romane, larg modave të rrejshme, At Zefi krijoi më vete një zhanër të denjë të kësaj tradite, prozën memuaristike të françeskanëve, duke e përnaltësuar në rrafsh epopeje këtë zhanër letrar, të afërt me autobiografinë. Si regull, ky zhanër, dallohet për një fokusim më të pakët të personazhit dhe një vëmendjeje më të theksuar të ngjarjeve të jashtme[2]. Por ishujt përsiatës, të ndjerët i flakur, i tadhëtuar, i pambrojtur e pa mbështetje, e bëjnë prozën e trilogjisë “Rrno vetëm për me tregue” një rast të rrallë të romanit autobiografik, të përshkuar nga reflekse ekzistencialiste religjioze. Poezia e zymtë dhe tragjika e situatave, shpesh të kujton prozën filozofike të Nikolaj Berdjajevit apo Simonë Wejl-it:
“Dola jashtë qytetit, përtej Urës së Bahçallëkut. Fillova me recitue: “Përmbi lum të Babilonit, atje ndejem dhe lotueme, kah na shkonte malli i Sionit”. Ecshëm i vetmuem. U mundojshem me e shpejtue hapin, që të mos më xajë nata në rrugë. Por nata mue më kishte xanë, nata e mendjes. Unë nuk dijshem mâ se kah me ia mbajtë. Ku jam? Ku shkoj? Aty? Atje? Ku? Çdo të bâj? Të gjitha ato andrrat rinore: me u bâ frat, me u bâ shêjt, me u bâ dijetar, me u bâ i përmendun për dishka; të gjitha u zhdukën në këtë çast. E ndjeva vedin se nuk ishem kurrgjâ tjetër por nji balonë, nji tollumbac në havà që sillet në atë drejtim kah ta çojë era. E shka asht era? A thue asht vetë jeta? Trishtim i madh!
O Zot, rri me né se asht kah erret!”
Dhuntia plastike e memuaristikës nën penën e At Zef Pllumit, dëshmitë e saj të paçmuara falë së cilës ne mund të dëgjojmë e të shohim të vetmin pasues të Fishtës dhe asaj “atlantide” kulturore të françeskanëve, ishte, me sa duket, një postscriptum, i vetmi postscriptum i denjë i homazhit, por një postscriptum madhështor i asaj tradite letrare, e cila në disa raste vendimtare i dha profilin dhe fizionominë autentike gjithë letërsisë shqipe. Pa przencën e kësaj tradite paradigmatike në krejt historinë e letërsisë tonë, as që mund të imagjonohet plotmëria e sistemit. Ajo paraqet sot, sipas meje, një jetë të përmbyllur lavdishëm. Dhe ndonëse prania e saj shpesh bëhet model dhe burim frymëzimesh e utopish të reja letraro-artistike, d.m.th., të restaurohet, ajo nuk mund të jetë më po e njëjta.
Rindërtimi i pamjes zanafillore të këtij apo aksh monumenti kulture – është një gjë jashtëzakonisht e vështirë. Dhe jo vetëm për shkak se pamjen zanafillore askush nuk e ka parë (ndjerë apo përjetuar me gjithë “aurën” e saj). Të gjitha përpjekjet për t’ia bërë duart Venerës së Milosit të trondisin me mungesën e shijes! Ata janë të dënuar të dështojnë qysh në krye të herës. Përse? Sepse në vetëdijen tonë Venera është e paduar, ndërsa Nika e pakokë. Dhe duke rindërtuar pjesët e humbura, ne prishim jo vetëm monumentin, por edhe diç tjetër, jo më pak të rëndësishme[3].
Dora e fundit reatauruese e traditës së begatë françeskane ishte ajo e At Zef Pllumit, e një ustai të sojit; përshpirtje apo postscriptum, gjithësesi, kjo vepër është dhe korniza, dhe detaji estetik përmbyllës. Ndonëse e trishtë, ajo ka tronditjen e katarsisit pas rënies së perdes në një tragjedi antike.

[1] Jurij Llotman: “Mbi natyrën e artit”, Fjala, nr 94, Mars 2003.
[2] Le Garzantine, Letteratura, Garzanti, fq 653. Romë 2002.
[3]Jurij Llotman: “Mbi natyrën e artit”, po aty.

Si e shpalli “persona nongrata” U. Econ pushteti ynë i djathtë

Ka qenë qershori i vitit 2000 kur Umberto Eco erdhi i ftuar për një kurs leksionesh mbi semiotikën, në Institutin e Kulturave Europiane të Moskës, ku studioja edhe unë asokohe – i vetmi student shqiptar aty. Në fund të javës qenë vënë afishet në të gjitha ambientet e Universitetit të Shkencave Humanitare se të shtunën, mjeshtri i madh, shkencëtari i famshëm dhe prozatori lavdishëm i postmodernizmit do të jepte një konferencë shtypi. Në mbarë botën letrare, universitare e shkencore të Moskës ky ishte një “peshk i madh” për kurreshtjen e elitës, duke pasë parasysh dhe faktin që Umberto Eco ishte gjerësisht i njohur dhe i lexuar në Rusi.
E shtuna e shumëpritur erdhi. Në orën 11.30’ salla e madhe e konferencave të Universitetit qe mbushur cit dhe rrëketë e njerëzisë që mësynin dyert e sallës u mpiksën aq keq, sa mbeten të ngrira e të palëvizshme, pa asnjë mundësi tjetër për qenë të pranishëm brenda, andaj u sajua një lidhje me qendër zëri, që ta ndiqnin bisedën nga ambientet e jashtme, pa e prekur, ajme, me sy, aurën e gjallë të idhullit të tyre.
Dikur, më vështirësi të mëdha, i rrethuar nga një gardh profesorësh rusë dhe amazonkash që ngjanin më shumë me gardianë, ia behu edhe Eco. Për një kohë të gjatë i buzëqeshi vesh me vesh sallës në delir dhe ovacione, mandej zuri vend në qendër të një tavoline të gjatë, të mbushur me një rradhë mikrofonash dhe vazo të mëdha lulesh. Ishte një zagushi e madhe, djersë e ufëm, por edhe qafa të tendosur që zgjateshin të shihnin fytyrën më të zgjuar mjekëroshe të planetit, që thuajse kishte humbur pas shkurreve të lulëzuara në tavolinë. Dukej e zhdukej vetëm vizllimi i reflekseve prej syzeve të tij tek shpërndanin mendjemprehtësi dhe inteligjencë spekulative, çka u sillte adhurueve mahni, respekt e përulje. Dikur edhe Eco u këshillua me dy përkthyeset amazona, të cilat nxituan të zhdavarisnin retë e dendura të luleve. Kësodore u shpalua i qartë torsi simpatik i njeriut të madh. Dhe mjeshtri foli. Në sallë ra heshtja përdëllyese. Isha në rradhët e para dhe e ndiqja pa vështirësi ligjërimin e tij gjithë batuta të kripura mbi formalizmin rus, strukturalizmin dhe semiotikën, ndërsa në ije, ndjeja herë pas here godidjen e lehtë me bërryl të poetit Danjilla Davidov, krejt të përpirë nga adhurimi (një ditë më pas ai më dha dhe një poezi të shkruar posaçëm me atë rast).
Por nuk dua të ndalem në aftësitë oratorike të mjeshtrit të madh. Ai i hipnotizoi dëgjuesit me erudicion, gjetje origjinale plot xixëllima mençurie e sidomos humor të zgjuar paradoksal. Më intereson të kujtoj pjesën e nxehtë të përgjigjeve të tij për pyetjet e panumërta që i bëheshin nga salla.
Ja, në njërën prej pyetjeve do të ndalem dhe për faktin se atë pyetje e formuloi miku im poet, Danjilla Davidovi, që siç e kemi thënë, e kisha përbri:
- Mjeshtër, siç është gjerësisht e njohur, ju jeni një ndër personalitetet më ndikuese të inteligjencies europiane që, personalisht, i përmbaheni pikëpamjeve politike të majta. A ju ka ndodhur mjeshtër, që pikërisht për shkak të këtyre bindjeve, ose frymës së këtyre bindjeve, të jeni ndjerë i padëshirueshëm në ndonjë ambient, lëvizje intelektuale në Itali, apo kund tjetër gjetkë?
Pasoi një heshtje gjersa njëra prej amazonave përkthyese ia përcolli pyetjen të plotë rrëzë veshit, ndërkaq që Eco, me kokë të anuar, nuk ia ndante sytë atij që kishte bërë pyetjen, teksa tundte ritmikisht kokën e anuar. Mori drejtqendrimin dhe shpalli:
- Faleminderit për këtë pyetje kaq interesante... a e dini çfarë, zotëri simpatik? Jo... jo, më falni më parë t’ju pyes: ju vetë, çfarë pikëpamjesh ndani?... nëse, sigurisht, nuk përbën ndonjë sekret...
- Politike? – kërkoi të sqarohej miku im.
- O, sigurisht... për atë po flasim...
- E qartë. Ju siguroj, i nderuar mjeshtër, asnjë sekret s’ka dhe, nëse më lejoni, bindjet e mia të deritashme janë të djathta, e... në pastë gjë tjetër të rëndësishme, është fakti se këto pikëpamje, po të shprehemi figurativisht, i kam farkëtuar vetë në kudhrën e realitetit tonë.
- Ju kuptova dhe, as që e vë në dyshim përgjegjësinë e kërkimit tuaj intelektual, që ju ka sjëllë, me ndërgjgjeje të lirë, në pikëpamjet tuaja të djathta. Por që të mos i shmangemi pyetjes suaj në fillim, po ju rrëfej një rast të dhunshëm arrogance politike që më ka ngjarë në Shqipëri.
Përveç habisë sime, ndjeva edhe bërrylin e fortë të Davidovit në ije.
- Ka ngjarë kështu, - vazhdoi rrëfimin Umberto Eco. – Në pranverën e vitit 1993, përkthyesja ime dhe një grup intelektualësh shqiptarë më ftuan në Tiranë me rastin e promovimit të romanit tim “Emri i trëndafilit”. Por sa zbrita në Durrës, pushteti i atëhershëm i djathtë, i partisë Demokratike shqiptare, më ndaloi dhe më ktheu mbrapsht si “persona nongrata” për shkak të bindjeve të mia të majta, pa arritur të kontaktoj dot me grupin e intelektualëve shqiptarë që, sipas fjalës, kishin dalë të më prisnin.
Ndërsa kishte ndërhyrë pyetja tjetër, ashtu i turbulluar nga ky informacion negativ, u rreka të kthjellohem në disa mospërputhje dhe, sapo mbaroi përgjigjen, unë tashmë e kisha ngritur dorën, derisa m’u dha fjala.
- I nderuar mjeshtër, a jeni i sigurtë se ky incident i papëlqyeshëm me Shqipërinë ju ka ndodhur në pranverën e vitit 1993?
- Po, po, për këtë ju siguroj... është një fakt i veçantë që nuk mund ta ngatërroj lehtë.
- Atëherë, mjeshtër, kam përshtypjen se logjika juaj ka një plasaritje të fortë dhe nuk përputhet me faktet...
- Continua a raccontare, prego...
- Sepse, mjeshtër, në vitin 1993, me sa di unë, ju keni botuar në Shqipëri vetëm një ese me titull “Tregëtarët e apokalipsit”, në gazetën “Zëri i Rinisë”.
Umberto Eco ngriti të dyja duart lart në shenjë të thellë habie dhe, më shumë se mua, iu drejtua publikut:
- Si duket, po përballemi me një rekord të skrupulozitetit bibliografik! – tha dhe shtriu dorën me xhentilesë drejt meje, për të më lënë të vazhdoja.
- Jo, i nderuar mjeshtër, është një nder që s’e kam merituar ndonjëherë... thjesht këtu jam një student shqiptar dhe, asokohe, në vjeshtë 1993 kur është botuar eseja juaj, kam qenë redaktor i kësaj gazete. Ndërsa promovimi i romanit tuaj, për të cilin thatë se ju ftuan më 1993, nuk mund të ndodhte para se të përkthehej. Dhe siç e dimë mirë të dy, “Emri i trëndafilit” është botuar më 1998; atëherë pra, kishte vend t’ju ftonin në promovimin e tij, nëse një ftesë e tillë ju është bërë... Mirëpo, edhe sikur t’jua kishin bërë një ftesë të tillë në Shqipëri (dhe kjo do të kishte vend vetëm në vitin 1998, jo më parë), prapë na del një mospërputhje e madhe, tashmë e një natyre thelbësore: atëherë në pushtet nuk ka qenë e djathta, që t’ju kthente mbrapsht si “persona nongrata”, për shkak të bindjeve tuaja të majta. Përkundrazi, që nga viti 1997 e deri tani që po flasim, Shqipërinë e qeveris pushteti i së majtës. Ata duhet t’ju kishin dëbuar për shkaqe bindjesh të majta. Po përse ta bënin këtë? Për shkak të bindjeve tuaja të majta? Kjo do të ishte një oksymoron! Prandaj ju thashë se logjika juaj bart një plasaritje të thellë, trashësia e së cilës shkon plot pesë vjet distancë. Me çfarë logjike ta mbushim këtë thellomë, i dashur mjeshtër?
Gjatë gjithë asaj kohe kishte zotëruar një bunacë heshtjeje, por me të mbaruar pyetjen salla u përmbyt nga mërmërima të sikletshme pakënaqësie, që për mua kishin një domethënie të padyshimtë: “ja tani dhe ky shqiptar mistrec vjen e na prish festën!”.
- Epo, si duket, të nderuar kolegë, - iu drejtua Eko, tashmë sallës, jo mua, - qenka dashur të udhëtoj gjer në Moskë për të dyshuar në besnikërinë e kujtesës sime... eh... njëherë tjetër do t’i japë një përgjigje më të përpiktë kolegut tuaj shqiptar... pa harruar ta falendoroj për një të dhënë me interes të madh për mua, si botimin tim të parë në Shqipëri të esesë “Tregëtarët e apokalipsit”... – deshi ta mbyllte situatën diskomforte, por ndërkohë ishte ngritur në këmbë Danjilla Davidovi:
- Mos ndoshta mjeshtri i madh e ngatërron përvojën nga Shqipëria me ndonjë vend tjetër?
- Ndoshta, ndoshta... nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi...
- Ju lutem shumë, - gjëmoi pizgë një zë nervoz prej femre, - ju vajzave moderatore! Mos e drejtoni diskursin në qorrsokaqe të tilla dhe... më falni... në çështje pa pikë interesi për ne... Sepse, më falni, mjeshtrin nuk e kemi ftuar t’i japë hesap kujt!
Pas apelit të saj, salla u shkund dhe dialogu me Ekon rinisi, i ngrohtë, i gjallë, hokatar, me pyetje të rafinuara për çështje të mëdha e, natyrisht, me përgjigjie të zgjuara që i shkojnë për shtat klasit të tij.







Danjilla Davidov
Leksioni i Umberto Ekos në MGU

Ne e pamë, ne erdhëm dhe e gjetëmО.Мandelshtam
Mjedis i ngrohtë pritjeje për mysafirin e shtrenjtë,
më saktë, zagushi. Në “Telegraf” – një intervistë e tij
pas RGGU-së. Atje gjithashtu kishte mbajtur një farë leksioni,
ku kishin qenë dhe Svjeta e Goni.

Goni mandej na tha se, burrë i rëndomtë qe, barkalec,
por simpatik, siç bën vaki jo rrallë. Por, tha Svjeta, përgjigjjet -
të zgjuara ama e me peshë. Zumë vend ndanë dritares,
sekush prej nesh mbante një ritëm me këmbë, një zot e di pse.

Ambient zagushitës. Gjysëm ore para fillimit
mbërriti pikun. Studentë e aspirantë djersijnë,
disa u lëshojnë vendet profesorëve të dashur,
e ata të prekur ua kthejnë: “Para gjenive të gjithë janë të barabartë”.

Njëzet minuta para fillimit largohen disa.
Disa deshën të bien pa ndjenja, por, ajme,
as gjilpërën s’ke ku e hedh, jo më vashat gjinjmëdha,
një metër e tetëdhjetë, nëse nuk zgjaten majë gishtash.

Shpejt mbijnë para sysh Vedenjapini me Prokopjevin. I salutoj.
Ka dhe të njohur të tjerë nga të departamentit,
Gollovanovi, Lovshini, Veronika Bodje,
Vasja kuznjecov dhe nja dy-tre të tjerë.

Pesë minuta para fillimit (vonesa është e pashmangshme).
Dikush nxjerr diktofonët, fotoaparatët.
Lum kush ka zënë vend në parvaze dritaresh. Ata të Humanitares
s’e kanë parë këtë vaki. Gjithkund tabela me shigjeta: Eco”.

Katjes po i merret fryma, bën të largohet,
por sheh Koreckin dhe i avitet pranë.
Shpejt do të gjëmojë auditori, pështjellime,
tik nervor, drithërima, mahni e përgjithshmë: “Eco”.

Tashmë mund ta dallosh, teksa zë vend në poltrona
(para një minute një koreane e lëshuan gjunjët).
Tani më nuk ndjehet ufma. Tani më s’është aq ngushtë.
Ai po flet. Italisht dhe anglisht. I mençur e mendjehollë.

Herë flet e herë lexon (më shumë lexon),
e përkthen Katja Kostjukoviç që ka përkthyer “Emri i trëndafilit”.
Duhej të kisha ardhur dy orë përpara,
që afër gjeniut të uleshe. Kështu e kanë këto punë.

E ai lexon leksionin. Flet për gjithfarë paragjykimesh.
Që gjithmonë na kanë premtuar se fiton ky e fiton ai, por ja
falë një farë gjëje të që s’ta pret mendja
kompjuteri nuk do ta varrosë librin, madje do ndoshë e kundërta.

Rruga e drejtë nga Gutenbergu deri tek Interneti – asfarë ndryshimi
mes sosh nuk ka. E gjithësesi ndryshime prapë ekzistion,
por, si ndryshimi ndërmjet botëkuptimeve të Robinsonit dhe Premtit,
çka nuk përbën asfarë tragjike.

Ka, menjëmend, një rrezik, që imazhet do ta mundin shenjën.
Ka mundësi, me gjasë, që njerëzimi të ndahet në dy klasa:
ata që do të lexojnë në një mënyrë, dhe të tjerë që do të lexojnë
ndryshe. Pra, që nuk do të lexojnë fare. Dhe kjo do të jetë masa,

ndërsa te të parët, do jenë intelektualët. Në jetë të jetëve.
Hë pra (duke iu kthyer sallës), sigurisht, për ne këtu është fjala.
Duartrokitje, të qeshura. Grepi për budallenjtë
u largua, të gjithë i dërgojnë të puthura.

Tirani simpatish. Dy-tre shaka.
Autografe për ata që e mbërthyen.
Në koridor ndesha А.N.Shçupllovin me një djalosh,
dhe më duket, Olja Snjejkën.

Ç‘paske dalë, më tha, të dëgjosh Eco-n,
po, ia qëllove drejt, po ti, edhe unë,
nejse, paçim, paçim. Bleva një lëng molle.
Ah, ja dhe Koreckij me Katjen, po vijnë kundruall.