* * *
A do ta dimë ndonjëherë vallë
ç'gjësend është i denjë
për këngën e trishtë të gjërave?
E trishta këngë e gjërave
rrëshqet nën lëkurë.
Pranitë e padukshme
ngaherë i shpërfillim
dhe humbim përditë
mes objektesh kaba
ku kënga na rëndet; shkërmoqet motivi...
Mes keqkuptimesh na rritet pendesa
për epoka jetime, pa përjetim.
Keqardhjet tona tash u bënë pengje
dhe kurrë më s'do ketë për ta ngushëllim.
* * *
E dashura qau ndaj të gdhirë, pa zë,
dhe lotët i shkisnin, rrokulliseshin për faqe,
dhe supet i dridheshin me ngashërima.
Ishte e shtunë shtatori të vonë,
gjethet e para qenë futur nën prag;
të tjera, të pezullta, lakoheshin në ajër.
Ishte ditë pushimi dhe një mendje më thosh
me marrë arratinë ku mendja s'kish bujtë.
Por e dashura dëneste dhe dielli s'kish lindë,
qe veç ndaj të gdhirë shtatorit të vonë...
Nuk e dija shkakun, as ngushëllimin...
ndaj gishtat e mi kërkonin me instinkt
ndofarë enigme mes flokëve të saj.
Në gjoks ia marr kokën, i pëshpërij në veshë
ninulla t'palindura për pyje të largët
ku trokthi i kuajve shuhet në myshk,
ku ndihet veç tingulli i dhëmbëve
të shqarthëve
që zhvoshkin prej drurësh lëvoren e njomë.
E dashura pushoi, me gjasë po dremiste
në paqen që fal gjumi i ri.
Të mbramet fjalë,
ndërsa kridhej në gjumë,
i rrëzoi si fletë
në puhizën e lehtë.
Si pezm a si mall,
unë rri e i mbledh nëpër dhomë kuturu:
"Ç'bëhet atje, larg, me fëmijninë time gege...?
Po me gjuhën e dashtun, kush na ftohu kështu?"
Ishte ditë shtatori të vonë... Malli dëneste
në vetë të parë.
No comments:
Post a Comment