Feb 28, 2012

Mëngjesi

I

Mëngjesi hyn me një karrocë dore,
dyst me pupla e sy të pulitun zogjsh,
me mjegullën e pezullt të gjumit
nga dhoma në korridor.
Karroca e dorës avitet ngadalë nëpër mjegull.
Fantazmat largohen me gjeste miqësore,
fluturojnë palë-palë në trajta rrobash
të palosen padukshëm në mjegullën
që përvidhet ndën derë, platitet qoshesh,
shuhet nën presionin e ujit në lavaman.
Ku treti kështu gjithë ai panair fantazmash
multiplikative?


II
Zgjimi është një elektrik dore
me bateri, thuajse të skaduara,
sa memzi lëshon dritë në retinat
e mpira të syve mes puplash në karrocë.
Lepuj e demonë, trajta ekcentrike,
antropomorfe, surreale
tërhiqen në formacion të rregullt
nën zilen e muzikës së zgjimit.
Është dikush, i padukshëm, që e shtyn
karrocën me sytë e fjetur mes puplash.
Është dikush që i shpupurit puplat gjumashe
dhe foleza shpërgjumet gugatjesh, përqafjesh.
Kaçurrelat e tij janë nginjur aroma fëmijësh.
Mirëmëngjes Mëngjes! Më vjen keq
t'i shkund thërrimet me sklepa,
gjurmët e puthjeve, mbresën e çapokut
të ngrohtë të mëllenjave në faqe.
Keq më vjen ta shprish trajektoren ritmike
të rrahjes së gjakut në zemër.
Mëngjesi. Karroca me pupla gjumashe.
Sy të rimtë e gugatje! Mirëmëngjesi -
familja ime dadaiste!

No comments: