Feb 28, 2012

Poezi te hershme....

* * *

Ti lëshohesh në këtë orë të vonë si mellan Kallamari
Duke fshehur preklat e tua të verbëra: shpirti yt - kandil deti!
Ti e ngre atë, të qullur në pritje, me shtresa të kalbura pengjesh,
Me zona të errëta mallesh, me gjithfarë regëtimash
Që ta përqethën shtatin e të turpëruara u rrëkëllyen
Një nga një në këllëf.

Teptisur nga epshi si bishë mijra sysh, kujtesa - aty:
Ajër i nginjur - cit me errësirë të ndenjur pa një xixë -
E gatshme të marrë hak,
Qiell që ha zogj të gjallë,
Mur i trashë e i ftohtë
Fundosur mjegullimës së miteve të veta.

Ti je lëndë që të ka ngrënë përcaktimi. Nuk i shmangesh dot
Kësaj bujtine të errët: përmbajtja e saj zgjanohet
Duke gërryer një tjetër formë në ty,
E sigurtë, me kumtin e zi drejt ardhmërisë...

Sa më i lartë të jetë fluturimi yt -
Aq më shungulluese ka me qenë rënia.
Ti s'je veçse zgafellë që zgjanohesh pafund
Me arkitekturën e shembjes përbrenda.

Moskë, shkurt, 1998




* * *

Ma ke dhënë goditjen e dhunshme Imzot
që në pakujtesë Një goditje dërmuese
fatale, zanafillën e së cilës kujtesa e prapton
kontureve të tymta të ekzistencës

Ma ke dhënë atë grusht asgjësues Imzot
nginjur përplot mllefe të errëta Me goditje
nokaut Imzot më ke futur në lojë Ndërgjegjia
ime e ndezur kërkon të dijë këtij perëndimi të vonë
për masën e shkakut dhe pasojës së parë teksa
heq zharg udhëve këtë trup
si muze ku përzieshëm përsëriten
qelqet e thyera të qenies

Moskë, dhjetor 1998




* * *

Tej, dëgjohet si fërfëllon me flatra
një muzikë që të ngjeth mishtë nga malli... ndërsa
nata, ndeh napën e saj të ujshme për t'u tharë
mbi lëngatën e fareve në breg.
Kjo është një sajesë që rastësia e dha kastile për mua.
Vjen nga tjetër kohë; ma cyt përfytyrimin
me radioaktivitetin e pavdekshëm të qenies që pata
dhe babëzi të panginjur rimishërimesh-
po edhe për t'u shkërmoqur cfilie
si ky grusht i parehatshëm tingujsh që nëpërdridhen n'eter.
O shpirtra ngashnjyes, - ju, avangardë engjëjsh,
ç'parandjenjë ju ndolli në qorrsokakun tim?



* * *

Lulëkuqe të zeza të vdekjes... gjëma iu mvesh përmallshëm këtij pragu
ndën shira të pancirta nëntori. Streha e kësaj votre
është ngulur si me thonj shpatinës së veshur me mersina.
Ajo frymëmerr mërzi, humbet, herë-herë, në vrundujt e tymtë
të konfuzionit të vet, që nxjerr së thelli dhe i tret në shkorret.
Përanash, tash avitet shkretimi dhe thelbit nis t'i plaket Fryma.
Themelet e kësaj strehe, zjejnë parandjenja të zeza, ndërsa
balli i ftohtë i maleve përballë, shpërvjel mnershëm
qefinë bornajash sterile
për ta përpirë, tembrama, këtë kërpudhë brune
me çadrën e vuajtjes mbi shpinë.

Moskë, dhjetor 1998



* * *

Me mure të trasha,
me dhëmballë të enjtura katakombesh
dhe zërin e groposur në zhavor të thatë...
Me trungje të përçudshme neje-neje
dhe vetëdijë ndërkallur
në torfë të angësht kënetash-
është i atrofizuar përjetë ky mish:
vërtitet me përtesë,
me përtesë ëndërron,
prirur në topitjen e mbrame -
atë shpresë të lashtë, - që di të hipnotizojë
kujtesën e pandreqshme të foljeve
"Isha" dhe "Jam".

Moskë, dhjetor 1998

No comments: